Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Gazeta10
01 October 2026 - 11:17

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin ku bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimi është marrë nga gjykatësi i vetëm i këtij rasti, Christopher Gosnell më 30 shtator 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra penale të tjera.

Po ashtu, për vazhdimin e paraburgimit, Specialja bën të ditur se gjykatësi mori parasysh edhe faktin që Thaçi u shpall fajtor dhe u dënua në gjykimin për krime lufte.

“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, thekson Specialja.

Gjykatësi vlerësoi se caktimi i paraburgimit vazhdon të mbetet i domosdoshëm dhe proporcional.

Kujtojmë se në rastin për krime lufte, Specialja shpalli aktgjykimin më 16 shtator 2026, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Me aq vite burgim u dënua edhe Jakup Krasniqi. Ndërkaq, Kadri Veseli me 18 vjet burgim e Rexhep Selimi me 13.

Në gjykimin për veprat penale kundër administrimit të dejtësisë, më 14 shtator 2026 ka përfunduar paraqitja e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës./BetimipërDrejtësi/

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Gjykimi Special
26 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.