Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu: 12 qershori 1999 shënoi lindjen e Kosovës së lirë

Gazeta10
12 June 2026 - 19:33

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në pritjen shtetërore të organizuar nga Qeveria në detyrë, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e 12 qershorit 1999, ditë të cilën e cilësoi si moment historik të çlirimit dhe fillimit të një epoke të re për Kosovën.

Në mesazhin e saj për këtë përvjetor, Haxhiu theksoi se pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe krimesh të rënda gjatë luftës, intervenimi i NATO-s dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sollën tërheqjen përfundimtare të forcave serbe nga Kosova, duke hapur rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

27 vjet më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një epokë të re e të lirisë. Pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe pas krimeve që nuk i harron asnjë brez, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s detyruan makinerinë e dhunës serbe të tërhiqej përgjithmonë nga vendi ynë. Atë ditë mori fund okupimi dhe nisi rruga e Kosovës së lirë, që ndërton vetë të ardhmen e saj me dinjitet. Kush e ka përjetuar atë qershor, e mban mend se si ndryshoi jeta në Kosovë. Kolonat e gjata që muaj më parë largoheshin nga vendi, tani po ktheheshin drejt shtëpive. Njerëzit dilnin në rrugë për të përqafuar njëri-tjetrin, për të kërkuar të afërmit dhe për të nisur jetën nga e para – mes shtëpive të djegura, por me kokën lart e me dinjitet.

Në fjalimin e saj, Haxhiu vuri theks të veçantë mbi sakrificat e luftës, duke përmendur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe figurat historike të rezistencës, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari dhe veprimtarin Adem Demaçi.

“Ishte gëzimi më i madh i një populli, i përzier me dhimbjen më të thellë. Ajo dhimbje nuk i përkiste vetëm një familjeje apo vetëm një brezi; ajo ishte e të gjithëve sepse liria u fitua me gjakun e dëshmorëve dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën e familjeve që dhanë gjithçka, me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, me vuajtjen e atyre që mbijetuan dhe me qëndresën e një populli të tërë që nuk u përkul as në ditët më të rënda e më të vështira. Dhe kjo rrugë nuk nisi në vitin 1998. Ajo kaloi nëpër ilegalen që e mbajti gjallë idealin e lirisë kur duhej paguar me burg e me jetë, nëpër rezistencën e Adem Demaçit, të cilin 28 vjet qëndrim në burg nuk e thyen dot, nëpër demonstratat e vitit 1981 që nisën nga studentët dhe u bënë zëri i një populli të tërë, dhe nëpër lëvizjen paqësore të viteve të 90-ta me presidentin Ibrahim Rugova. Para të gjithë atyre përulemi sot me nderim të thellë”, tha Haxhiu.

Në të njëjtën frymë përkujtimore, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar 12 qershorin si një datë të gdhendur në memorien historike të kombit shqiptar, duke theksuar se liria e Kosovës u fitua përmes sakrificës së mijëra burrave dhe grave, rezistencës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve strategjikë perëndimorë.

“12 qershori është një datë e gdhendur përjetësisht në memorien historike të kombit tonë. Kjo është dita kur triumfoi liria mbi aparteidin, shpresë mbi frikën dhe e drejta mbi padrejtësinë gjenocidale. Liria e Kosovës erdhi si produkt i sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, aleatëve e partnerëve tanë, të cilët u rreshtuan në anën e duhur të historisë”, tha Begaj.

Ai ka përkujtuar gjithashtu figurat historike të rezistencës dhe ka theksuar se sakrifica e të rënëve dhe e familjeve të tyre mbetet themel i lirisë së fituar, ndërsa vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe çështjes së ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin në Hagë, të cilin e ka cilësuar si një barrë të rëndë historike për ta dhe për kujtesën e luftës çlirimtare.

“Nderojmë sot kryetrimin dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe familjen Jashari, të cilët janë vetë altari i lirisë. Kujtojmë sot dhe nderojmë rezistencën e atyre dhe mbarë… Në këtë ditë feste dhe reflektimi, mendja dhe zemra është edhe në Hagë. Aty ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një tjetër betejë, në një proces që rëndon si një padrejtësi e madhe historike. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po paguajnë një çmim të për të mbrojtur dinjitetin e një lufte që ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare”, tha Begaj.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.