
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ishte e rëndësishme që Kuvendi të shprehte qëndrimin e tij përmes një deklarate lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu tha se deklarata e Kuvendit ka rëndësi edhe për të ardhmen, në mënyrë që gjeneratat e reja të dinë se cili ishte qëndrimi i këtij institucioni ndaj vendimit.
“Pas vendimit të padrejtë, ka qenë shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ta thotë fjalën në raport me këtë aktgjykim. Ndoshta jo vetëm në rrethanat e sotme, por edhe pas shumë vitesh, kur të flasim për një vendim të tillë, të rinjtë dhe të rejat e Republikës së Kosovës të dinë se cili ka qenë roli i Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.