
Deputetët e pushtetit janë mbledhur sot sërish në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President, pavarësisht se nuk ishin 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht se kjo procedurë që nisi mbrëmë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të marrin pjesë dhe të votojnë, duke e mundësuar zgjedhjen e Presidentit.
“Për t’i dhënë atyre mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë […] po e vazhdojmë këtë seancë në orën 2. Pra, shihemi në orën 2”, tha ajo.
Haxhiu e interpreton ndryshe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, kur e kishte pyetur më herët për këtë çështje.
Në fund të marsit, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që deputetët të kenë edhe një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, meqenëse Kuvendi nuk i kishte pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura e deri në ditën kur duhej të përfundonte (30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual), tha se deputetët s’mund të detyrohen dhe se është “tërësisht në vullnetin” e tyre se çfarë ata konsiderojnë se është “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”.
“Së dyti dhe në lidhje mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit. Po ashtu, bazuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, deputetët marrin përgjegjësinë që mandatin përfaqësues ta ushtrojnë në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat formale të përcaktuara në Kushtetutë, ligje dhe rregulloren e Kuvendit (shih, rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 130 dhe 190). Sipas Gjykatës, se çka konsiderojnë deputetët se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në aspekt politik dhe në aspekt të politikave publike, është tërësisht në vullnetin dhe vendimin e deputetëve të Kuvendit. Përderisa respektohet Kushtetuta, çdo zgjedhje e të zgjedhurve dhe njëkohësisht përfaqësuesve të popullit, duhet respektuar dhe Kushtetuta përcakton qartë, që deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (shih, rastin KO72/20, cituar më lart, paragrafi 357 dhe rastin KO124/25, cituar më lart, paragrafi 181)”, thuhet në pikën 175 të aktgjykimit.