Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu: Pas certifikimit të rezultateve, Kuvendi do të thirret brenda afatit kushtetues

Gazeta10
08 July 2026 - 16:22

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si përmbyllje të një procesi të rëndësishëm demokratik për Republikën e Kosovës.

Në një postim publik, Haxhiu tha se vullneti i qytetarëve, i shprehur përmes votës brenda vendit dhe nga diaspora, tashmë ka marrë formën e tij përfundimtare institucionale.

Ajo shprehu mirënjohje për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, sipas saj, kontribuuan me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e procesit zgjedhor.

Haxhiu njoftoi se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja që dalin nga vullneti i qytetarëve.

Në fund të reagimit të saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes theksoi se besimi i dhënë nga qytetarët përfaqëson një përgjegjësi të madhe për të zgjedhurit, duke kërkuar që çdo mandat të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.