Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Heshtja e ekzekutivit për bisedimet e Brukselit

Gazeta10
22 Gusht 2022 - 19:24

Raporti: Arta Mustafa

Partitë opozitare dhe shoqëria civile kanë kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për mungesë të transparencës në lidhje me temat e diskutuara në takimin e zhvilluar të enjten në Bruksel. Deputetët opozitarë kanë thënë se Kurti do të duhej të raportonte në Kuvend, duke thirrur seancë të jashtëzakonshme. E në lidhje me këtë, nga ekzekutivi kanë njoftuar se Kurti pritet të flasë të mërkurën, shkruan Kanal10.

Qeveria e Kosovës vazhdon të heshtë edhe pse kanë kaluar katër ditë nga takimi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Për temat e diskutuara atje, as kryeministri Kurti e as ekzekutivi që ai udhëheq, ende nuk kanë dhënë asnjë informacion.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se për takimin e 18 gushtit, Kurti do të flasë të mërkurën.

Në lidhje me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, Kryeministri Kurti do të flasë këtë të mërkurë në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar“, ka thënë për Kanal10 Përparim Kryeziu – Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës  

Por, për këtë mungesë të raportimit, kritika kanë hedhur partitë opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se menjëherë pas kthimit nga Brukseli, Kurti do të duhet të thërriste seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për të njoftuar ligjvënësit për temat e diskutimit në dialog.

Kritika për mungesë të transparencës në procesin e dialogut ka hedhur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ndërkaq, Fatmir Sheholli nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka thënë se është shqetësuese që temat e diskutuara në Bruksel të bëhen të ditura nga presidenti serb, i cili sipas tij, po vazhdon propagandën.

Për temat e diskutuara në Bruksel, si dhe për procesin e dialogut, presidenti serb të dielën u është adresuar qytetarëve.

Ndërkohë, pikërisht në ditën e takimit më 18 gusht, Kanal10 kishte mësuar nga burimet ndërkombëtare se i vetmi pajtim ndërmjet palëve atë ditë kishte qenë që të mos prononcoheshin për media. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
25 Nëntor 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.