Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hoti për përgjigjen e Kurtit ndaj pyetjes së Fidan Ramës: Nuk ka asnjë projekt madhor për t’u krenuar

Gazeta10
03 June 2026 - 10:09

Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me performancën e Qeverisë gjatë mandatit të saj, duke vlerësuar se ekzekutivi nuk ka realizuar projekte madhore që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Përmes një reagimi publik, Hoti iu referua debatit në Kanal10, ku gazetari Fidan Rama e kishte pyetur kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për tri projektet me të cilat krenohet pas viteve në pushtet.

Sipas Hotit, përgjigjja e kryeministrit tregoi mungesë rezultatesh konkrete dhe pamundësi për të përmendur projekte të rëndësishme zhvillimore.

“Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime”, ka shkruar Hoti, përcjell Gazeta10.

Postimi i plotë i Avdulllah Hotit:

Gazetari Fidan Rama e pyeti Kurtin për tri projektet me të cilat krenohen pas gjithë këtyre viteve në pushtet. Përgjigjja ishte zbuluese për qeverisjen e tij të zbrazët, por edhe dëshpëruese: nuk arriti të përmendë asnjë projekt serioz dhe madhor që ka ndryshuar jetën e qytetarëve.

Rrjedhimisht, u kthye te zanati i tij i vetëm prej se është në politikë: propaganda, mashtrimi dhe fajësimi i të tjerëve.

Kur nuk ke rezultate, shpik armiq. Kur nuk ke projekte, prodhon justifikime.

Por propaganda nuk mund t’i fsheh milionat e shpërndara me tenderë njëburimorë. Nuk i arsyeton kontratat e negocuara në WhatsApp. Nuk i zhduk dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Auditori i Përgjithshëm ka referuar 80 lëndë në Prokurori bazuar në gjetjet e auditimeve në institucione të ndryshme.

Koha e propagandës po mbaron. Koha e llogaridhënies po afrohet. Dhe për dallim nga konferencat për shtyp, para ligjit nuk mjafton propaganda. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
03 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.