Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hoxha pas takimit me Hamzën: Institucionet të konstituohen sa më shpejtë në frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie

Gazeta10
01 June 2026 - 10:59

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka ndarë detaje nga takimi që zhvilloi në Prishtinë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.

Hoxha tha se me Hamzën diskutoi për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat që e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Ai theksoi rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim dhe përgjegjësi politike në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të vendit.

“Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese euroatlantike dhe konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Në takim është diskutuar edhe dialogu Kosovë–Serbi, për të cilin Hoxha tha se mbetet një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve.

Po ashtu, pjesë e bisedës kanë qenë edhe zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor”, shkruan Hoxha.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.