Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​Hoxhaj i kërkon reagim BE-së për marrëveshjen Serbi – Rusi

Gazeta10
26 September 2022 - 18:13

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj i ka reaguar ashpër Bashkimit Evropian pas marrëveshjes Serbi-Rusi mbi “planin për konsultime” për politikë të jashtme.

Hoxhaj përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se për vite me radhë i ka paralajmëruar miqtë e tij në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë.

“Për vite me radhë i kam paralajmëruar miqtë e mi në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, në vend të BE-së. Toleranca e BE-së tani ka kostot e saj. Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar”, ka shkruar ai.

Të premten, Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov kanë nënshkruar në New York, një marrëveshje sa i përket politikës së jashtme të përbashkët Moskë-Beograd. Marrëveshja në mes të dy palëve quhet “Plani i konsultimeve ndërmjet MPJ-së së Serbisë dhe MPJ-së së Rusisë për 2023-2024”.

Ndaj kësaj marrëveshje ka reaguar edhe raportuesja e Parlamentin Europian për Kosovën Viola von Cramon e cila ka thënë se tash është koha që të ngrihen bisedimet për aderimin e Serbisë në Bashkimin Evropian./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.