
Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook për tërheqjen e njohjes nga Togo, gjë për të cilën kishte punuar vet që ta siguronte sa ishte ministër i jashtëm.
Hoxhaj tha se “kur një shtet në rrafshin bilateral e tërheq njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit është goditje në zemër të pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë dhe një skandal i madh i politikës të jashtme të dështuar të Kosovës.
“Tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe mjerisht do të ndodhë, sepse Serbia po i bënë fushatë të egër Kosovës kudo, ndërsa askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, as nuk i thërret në telefon askush, as nuk e dijnë se ku gjenden në hartë, çfarë flamuj kanë ose si quhen kryeqytetet e tyre! Nuk kanë as strategji, as plane në këtë luftë diplomatike kundër Serbisë, por dorëzim dhe nënshtrim të plotë ndaj saj!”, ka shkruar Hoxhaj.
Tutje Hoxhaj ka thënë se sa ka qenë ai ministër i Jashtëm, Kosovën e kanë njohur 115 shtete dhe se Qeveria duhet të sqarojë nëse janë hequr njohjet e shtetësisë së Kosovës./Gazeta10