
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur për herë të parë publikisht se mund të kandidojë për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të partisë.
Bajrami tha se nëse në vitin 2027 do të ketë garë të hapur për drejtimin e LDK-së, ajo do të jetë njëra prej kandidateve.
“Situata e cila po ndodh tani, domethënë, e cila është krijuar pa dashjen tonë, dhe po diskutohemi si 6-she, nuk ka absolutisht asgjë të bëjë me zgjedhjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat sipas planit duhet të ndodhin diku në shtator, nëse s’gaboj, ose nëntor të vitit 2027”, tha Bajrami.
Ajo theksoi se kandidatura e saj do të varej nga rrethanat që do të krijohen deri atëherë, por nëse do të ketë një garë të hapur, ajo do të hyjë në garë.
“Duke marrë parasysh rrethanat aktuale dhe një situatë në të cilën jemi, në qoftë se nuk ka ndryshime pozitive në situatën në të cilën jemi, nëse ne do të jemi në një situatë të tillë në vitin 2027 dhe nëse ka garë të hapur, unë do të jem njëra prej kandidateve për kryetare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi ajo.
Bajrami sqaroi se nuk pret që të jetë kandidatja e vetme, duke thënë se edhe figura të tjera brenda partisë mund të synojnë drejtimin e LDK-së.
“Do të jem njëra prej kandidatëve, sepse nuk do të jem e vetmja, do të ketë natyrisht një numër”, tha ajo në Rubikon.
E pyetur nëse pret që të ketë kandidatë të tjerë, Bajrami tha se brenda partisë dihet se cilët zyrtarë kanë ambicie për pozita drejtuese.