
Sot, projekti i financuar nga BE për Reformën në Polici, në partneritet me Ambasadën Britanike dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kryetarit të Hanit të Elezit, organizuan një ngjarje për të prezantuar themelimin e Mekanizmit referues shumë agjenci për të mbështetur individët e cenueshëm që janë në rrezik nga radikalizimi, raporton Gazeta10.
Ngjarja shënoi edhe ditën e fundit të trajnimit të anëtarëve që do të formojnë panelin referues të shumë agjencive të përbërë nga përfaqësues nga zyra e kryetarit të komunës, zyrtarët policor, kujdesi shëndetësor, departamenti i arsimit dhe i punës sociale.
“Parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë qartësisht komponentë thelbësorë të çdo politike efektive për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Megjithatë, parandalimi nuk mund të sigurohet vetëm nga Policia, por kërkon përpjekjen e të gjithë komunitetit. Prandaj BE-ja është e kënaqur që ka qenë në gjendje që përmes projektit të saj të mbështesë qasjen shumë agjencish, e cila është pioniere në Hanin e Elezit dhe ne shpresojmë që do të zgjerohet edhe në pjesët tjera të Kosovës”, tha Alessandro Bianciardi, zëvendës koordinatori i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Mekanizmi referues është një panel mbrojtës me shumë agjenci, i cili ofron një përgjigje mbështetëse, mbrojtëse dhe parandaluese ndaj atyre që janë në kërcënim/rrezik të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Do të ndihmojë për t’iu përgjigjur faktorëve kompleks të rrezikut dhe ndryshimeve në sjellje duke vendosur plane efektive të ndërhyrjes. Hani i Elezit është një nga komunat e para në implementimin e mekanizmit referues.
“Si kryetar komune, synimi im është të siguroj që komunitetet të mbrohen nga të gjitha format e kërcënimeve dhe rreziqeve. Duke pilotuar këtë qasje, ne mund të sigurojmë që komunitetet tona të mund të kryejnë punët e tyre të përditshme të sigurt”, tha kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Ky është programi i parë i themeluar për Parandalimin/Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm (P-LEDH) në Kosovë me fokus në aranzhimet mbrojtëse të shumë agjencive për të ofruar përgjigje mbështetëse, mbrojtëse dhe parandaluese ndaj atyre në kërcënim/rrezik nga radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Modeli i zbatuar bazohet në qasjen dhe proceset bashkëpunuese dhe parandaluese ‘Kanali’ të Mbretërisë së Bashkuar/UK Prevent ‘Channel’. Mbështetja dhe mentorimi nga Projekti do të jenë të vazhdueshme për të siguruar suksesin e tij. Pas këtij pilot projekti dhe vlerësimit të tij, të njëjtat procese do të përsëriten/zgjerohen në të gjitha komunat e Kosovës.
Që nga viti 2019, BE-ja ka investuar 3.9 milionë euro në mbështetje të procesit të reformës së Policisë së Kosovës.
Objektivi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë Policinë e Kosovës në procesin e saj të reformave për t’u bërë një shërbim policor efektiv dhe publikisht i përgjegjshëm që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që vepron sipas standardeve dhe praktikave ndërkombëtare dhe korr sukses të konsiderueshëm në luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe garanton sigurinë publike.
BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Policinë e Kosovës dhe ministrinë përkatëse për të harmonizuar kapacitetet dhe legjislacionin e saj me legjislacionin dhe standardet e BE-së./Gazeta10.