Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Infermierja në QKUK ngatërron baballarët e foshnjave, Prokuroria nis hetimet

Gazeta10
22 September 2022 - 19:30

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Dy familje u gjenden në një situatë të vështirë shkaku i një ngatërrese të shkaktuar nga një infermiere e Klinikës së Gjinekologjisë. E njëjta kishte ngatërruar prindin e foshnjës që kishte lindur e gjallë, me atë të foshnjës së vdekur. Informacionet e gabuara shtynë njërin prind të lajmëronte rastin në polici. Drejtuesit e klinikës kanë njoftuar se do të marrin masa disiplinore ndaj infermieres, shkruan Kanal10.

Një ngjarje e pazakontë, ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Infermierja e repartit të Neonatologjisë, ngatërroi gabimisht baballarët, derisa u kumtoi lajmin për shëndetin e dy foshnjave të sapolindura.

Të dy nënat kishin pasur lindje cezariane, derisa njëra foshnje gëzonte shëndet të mirë e tjetra kishte lindur pa shenja jete.

Kanal 10 merr vesh se infermierja e kishte marre foshnjën e lindur të gjallë për ta dërguar në kujdesin neonatal. Por te pjesa ku presin baballarët për t’u informuar, ajo e kishte ngatërruar prindin e foshnjës së lindur të gjallë, me atë të foshnjës së vdekur.

Zyrtarë të kësaj klinike kanë treguar për televizionin ngjarjen, ndërsa kanë bërë të ditur se do marrin masa ndaj infermieres.

Rastin në Polici e kishte raportuar njëri prind, të cilit dyshimet i kishin filluar në momentin kur atij u ishte kumtuar lajmi, ku përveç gjendjes shëndetësore, të sapolindurit i është ngatërruar edhe gjinia.

“Dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse. Ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar për obduksion, policia në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit po heton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, tha Policia e Kosovës.

Rasti ka kaluar edhe në hetime.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se për rastin në fjalë kanë nisur hetimet dhe se trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.