Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

IPK rekomandon suspendimin e katër policëve, dyshohet se keqtrajtuar dy qytetarë në Stacionin Policor të Podujevës

Gazeta10
11 Nëntor 2025 - 8:59

Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të cilët ishin duke shërbyer me detyrë në Stacionin Policor të Podujevës.

Sipas njoftimit, informacionet e para për këtë rast IPK i kishte pranuar nga  Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë  brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”.

Hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë , sipas njoftimit, janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e rastit”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.