
Ish Kryeministri i Kosovës dhe ish lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Gjykata Speciale duhet t’i ketë dëshmitë e veta të pavarura, të cilat janë të qëndrueshme, e jo assesi t’i ketë dëshmitë nga Serbia në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
Këto komente, ai i ka bërë në dokumentarin “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post.
“Unë mendoj se për asnjë kosovar, e as për mua, nuk mundem që dëshmitë serbe të jenë dëshmi të bazuara për një Gjykatë të tillë. Sepse, Gjykata duhet t’i ketë burimet e veta, duhet t’i ketë dëshmitë e veta të pavarura, të cilat janë të qëndrueshme, e jo assesi t’i ketë dëshmitë e agresorit për t’i gjykuar ata që kanë pësuar nga agresioni i tyre. Dhe unë mendoj se këto dëshmi duhet të jenë krejtësisht të pabazuar dhe Gjykata nuk mund të bazohet në dëshmi të tilla. Sipas kësaj, do të duhej që edhe ta çonin prej varri edhe Millosheviqin dhe të marrin dëshmi edhe prej tij se çfarë ka ndodhur në Kosovë, në anën e kundërt”, ka thënë Isa Mustafa.
Ish Kryeministri kosovar, po ashtu, ka deklaruar se nuk do të ishte mirë që aktakuzat, filluar nga Raporti i Dick Marty-t, dhe vazhduar më tutje, të bazohen mbi dëshmitë e njerëzve të cilët kanë bërë krime në Kosovë.
“Sepse, kriminelet nuk mund të shfrytëzohen si dëshmitarë në një proces të tillë”, është shprehur Mustafa.
Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se ka në tavolinë e saj dokumente nga Serbia, të cilat mund t’i përdorë kundër krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor që pritet të fillojë në Hagë./Gazeta10