
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ta themelojë Asociacionin me garanci nga SHBA-ja, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se është një lajm i mirë angazhimi shumë më intenziv i SHBA-së sepse kjo është një siguri më e madhe për Kosovën në dy rrafshe.
“Së pari është një lajm shumë i mirë që Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim shumë më intensiv sepse kjo është një siguri e madhe për Kosovën në dy rrafshe. E para është se përgjatë kësaj historisë së vonë të Kosovës ka qenë ShBA ato që më së shumti e më së miri e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës, veçanërisht në etapat më të vështira të saj. E dyta është që ShBA-të me fuqinë që e kanë janë garanti i vetëm që dialogu mund të përfundoj dhe marrëveshja mund të arrihet, gjë që është në interes të Kosovës”, tha ai për EO.
Më tej ai ka thënë se SHBA-ja po e mbështet Asociacionin brenda kornziës kushtetuese të Kosovës.
Ai ka thënë se për shkak të kësaj, Qeveria e Kosovës duhet të ketë një besim më të madh në këtë proces.
“kohëve të fundit që ShBA-ja mbështet themelimin e Asociacionit i cili i merr parasysh vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë drejtim mendoj që kjo është një siguri për Republikën e Kosovës, që ky Asociacion të mos jetë diçka që do ta pengonte funksionalizimin e Republikës dhe do ta dëmtonte në një farë mënyre sovranizimin e saj. Në këtë drejtim mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të ketë më shumë besim në këtë proces dhe të hyj në të me një siguri pak më të madhe, e të jetë më aktive veçanërisht në këtë temë e cila natyrisht që është temë e ndjeshme dhe që është diskutuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, tha ai.
Sa i takon deklarimeve të Chollet, Ymeri ka thënë se Asociacioni është bërë urgjent për shkak të krijimit të vakumit institucional.
“E shohë këtu aktualisht është që për sa kohë që para asaj që ndodhi në veri, Asociacioni shihej si një lloj monedhë, kusoritje në raport me njohjen që duhet të vijë nga Serbia, tash Asociacioni na është bërë urgjent për shkak të krijimit të vakumit institucional në pjesën veriore të Kosovës, gjë që na kthen prapa, pra kështu ka qenë situata në vitin 2013 kur atëherë Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe ishte nënshkruar si marrëveshje edhe për shkak të nevojës për t’i integruar serbët e pjesës veriore në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Edhe tash e njëjta gjë është duke na u përsëritur edhe për shkak të gabimeve tona”, tha ai. / Gazeta10