Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ish-ministri malazez: Pranimi i mbi 100 mijë refugjatëve nga Kosova, kthesa që e distancoi Malin e Zi nga politika e Millosheviqit

Gazeta10
27 Prill 2026 - 8:15

Ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka folur për rolin e Malit të Zi gjatë luftërave të viteve ’90 dhe kthesat që çuan drejt pavarësisë së vendit.

Vlahoviq theksoi se një nga momentet më të rëndësishme ishte pranimi i mbi 100 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova gjatë ndërhyrjes së NATO-s, duke e cilësuar këtë si një akt të madh human dhe historik për Malin e Zi.

“Mendoj se një nga lëvizjet e autoriteteve malazeze që shpëtoi Malin e Zi dhe e kualifikoi atë për t’u kthyer drejt pavarësisë, në një kuptim historik, është qëndrimi ynë ndaj refugjatëve të luftës, nga Kosova, ndaj më shumë se 100 mijë shqiptarëve etnikë që i pranuam në Mal të Zi, pa asnjë incident nga autoritetet e atëhershme”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky veprim përbën një kontrast të fortë me pjesëmarrjen e mëhershme të malazezëve në agresionin kundër Dubrovnikut, duke e quajtur atë periudhë si një “pjesëmarrje të pafat dhe të turpshme”.

Ai shtoi se Mali i Zi në atë kohë ishte “peng vullnetar”, ku shumë rezervistë shkuan në luftë me bindjen se po mbronin Jugosllavinë, pa e kuptuar kontradiktën e asaj që po ndodhte në terren.

Ai gjithashtu kujtoi se në vitin 2004, si ministër i Jashtëm, kishte kërkuar falje në Zagreb për rolin e rezervistëve malazezë në luftë, duke theksuar se ata ishin keqpërdorur dhe se ajo nuk ishte lufta e Malit të Zi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.