
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Ish-polici i Kosovës është futur në grevë urie, duke kërkuar që të bëhen sigurimet shëndetësore dhe jetësore për ish-kolegët e tij. Ai ka thënë se policët vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda e me paga të ulëta. Kurse, sipas kryetarit të Sindikatës së Policisë, vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 100 policë kanë dhënë dorëheqje për këto arsye.
Kjo tendë para objektit të ekzekutivit të vendit, është vendosur nga një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Eris Jashari që dikur shërbente në forcat e rendit, ka vendosur që të solidarizohet me ish-kolegët e tij policë, për shkak të kushteve të rënda të punës.
Që nga e marta, Jashari ka hyrë në grevë urie, me kërkesën që zyrtarët policorë të kenë sigurim shëndetësor dhe jetësor.
Edhe pas pesë vjetësh që e ka lënë shërbimin në Polici, ai thotë se kushtet për zyrtarët policorë janë të njëjta.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se vetëm vitin e kaluar rreth 100 policë kanë dhënë dorëheqje nga ushtrimi i detyrës, si shkak i kushteve.
Pothuajse në secilën fushatë zgjedhore, partitë politike janë zotuar për përmirësimin e kushteve dhe sigurim shëndetësor e jetësor, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Ndërkaq, prej themelimit të Policisë së Kosovës, 22 policë e kanë humbur jetën në krye të detyrës, derisa raste të tjera kanë ndodhur edhe kur janë plagosur apo janë lënduar gjatë kryerjes së detyrave të tyre.