
Qendra e LVV’së në Sharr, ka thënë se, institucionet e vendit ‘’ nuk mund të shërbejnë si mbulesë për veprimtari politike në shërbim të Serbisë’’, dhe se, para disa ditësh, deputeti Filiz Mustafa, ka reaguar lidhur e mobilizimin e organizuar nga subjekti politik i Adem Hoxhës për zgjedhjet në Serbi, duke ngritur pyetje konkrete për organizimin e transportit të qytetarëve dhe angazhimin në funksion të partisë së Aleksandar Vuçiqit, gjë të cilën, thuhet në postimin e kësaj dege të VV’së, e ka denoncuar edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Arbërie Nagavci.
”Tashmë, dokumentet e publikuara lidhur me Edin Kurt, ish-asambleist i Partisë Unike Gorane (JGP) dhe ish-pjesëtar i Komitetit për Komunitete dhe Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Sharrit, ngrenë pikëpyetje edhe më serioze. Sipas këtyre dokumenteve, ai është caktuar komisioner i Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit për zgjedhjet në Serbi”, thuhet nga VV’ja mes tjerash.
Nga dega e VV’së, shtrohet pyetja edhe se, ‘’si është e mundur që persona të cilët kanë qenë pjesë e institucioneve komunale, përfshirë mekanizmat që kanë për detyrë sigurinë dhe bashkëjetesën në komunitet, të përfshihen në veprimtari që ngrenë dyshime për lidhje me strukturat politike të Serbisë?’’, gjë për të cilën, shton VV’ja, komuna duhet të japë përgjigje.
Postimi:
Institucionet e Kosovës nuk mund të shërbejnë si mbulesë për veprimtari politike në shërbim të Serbisë. Komuna e Sharrit nuk duhet të jetë adresë për mirëmbajtje të strukturave paralele tashmë të shpartalluara nga qeveria qëndrore.
Ditë më parë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Filiz Mustafa, reagoi publikisht lidhur me mobilizimin e organizuar nga subjekti politik i Adem Hoxhës për zgjedhjet në Serbi, duke ngritur pyetje konkrete për organizimin e transportit të qytetarëve dhe angazhimin në funksion të partisë së Aleksandar Vuçiqit. Njëjtë dhe drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbërie Nagavci, e denoncoi këtë çështje në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Tashmë, dokumentet e publikuara lidhur me Edin Kurt, ish-asambleist i Partisë Unike Gorane (JGP) dhe ish-pjesëtar i Komitetit për Komunitete dhe Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Sharrit, ngrenë pikëpyetje edhe më serioze. Sipas këtyre dokumenteve, ai është caktuar komisioner i Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit për zgjedhjet në Serbi.
Si mund të shpjegohet që persona që kanë ushtruar funksione publike në institucionet e Republikës së Kosovës, sipas dokumenteve të publikuara, angazhohen njëkohësisht në struktura politike dhe organizime zgjedhore të Serbisë?
Por pyetja nuk i drejtohet vetëm individëve. Ajo i drejtohet drejtpërdrejt edhe Komunës së Sharrit.
Si është e mundur që persona të cilët kanë qenë pjesë e institucioneve komunale, përfshirë mekanizmat që kanë për detyrë sigurinë dhe bashkëjetesën në komunitet, të përfshihen në veprimtari që ngrenë dyshime për lidhje me strukturat politike të Serbisë? Çfarë ka ditur Komuna për këto angazhime dhe a ka bërë ndonjë vlerësim të përputhshmërisë së tyre me detyrimet institucionale?
Komuna duhet të japë përgjigje. Heshtja nuk e zëvendëson llogaridhënien, ndërsa funksionet publike nuk mund të shërbejnë si mburojë për askënd.
Ne e konsiderojmë të papranueshme që institucionet e Republikës së Kosovës të trajtohen si formalitet, ndërkohë që angazhimet politike të individëve mund të shtrihen në funksion të agjendave zgjedhore të Serbisë.
Sharri është pjesë e Republikës së Kosovës. Institucionet e tij duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe Republikës, me transparencë, përgjegjësi dhe besnikëri ndaj rendit kushtetues.
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr kërkon sqarim publik nga Komuna për këto çështje. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, ndërsa përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget me heshtje.