
Pas publikimit të dosjes së Prokurorisë për sulmin terrorist të vitit të kaluar në kanalin Ibër-Lepenc, eksperti i sigurisë, Avni Islami ka deklaruar se ngritja e aktakuzës pas një viti hetimesh tregon se rasti ka qenë kompleks dhe i kryer nga persona të trajnuar profesionalisht.
Islami në emisionin Gazeta është shprehur se gjatë muajve të parë të hetimit ishte shqetësues fakti që ende nuk kishte një aktakuzë, por tani – sipas tij – dosja dhe provat e paraqitura dëshmojnë përfshirjen e strukturave të specializuara të sigurisë.
Ai tha se pjesëmarrja e një oficeri të lartë të ushtrisë serbe në këtë aksion, sipas dokumenteve të publikuara, nënkupton se “rasti ka qenë i përgatitur mirë nga njerëz të rekrutuar dhe profesionistë që kanë ditur si të veprojnë pa lënë gjurmë”.
“Me vetë faktin që në dosje paraqitet edhe përfshirja e FBI-së në analizën e provave, rasti merr një dimension edhe më të fortë,” deklaroi Islami, duke theksuar se përfshirja e agjencive ndërkombëtare ka ndihmuar në avancimin e hetimeve.
Sipas tij, të dhënat e publikuara nga Prokuroria e bëjnë të qartë se sulmi nuk ka qenë spontan, por i organizuar dhe i mbështetur nga struktura profesionale të inteligjencës serbe.