
Jakup Bellaqa, njohës i ekonomisë, ka kritikuar projektpropozimet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat operatorët i kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), shkruan Gazeta 10.
Sipas Bellaqës, rritja e çmimit të energjisë është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, veçanërisht tek kategoritë me të hyra të ulëta dhe të mesme. Ai thekson se kjo rritje dobëson fuqinë blerëse dhe ndikon më së shumti tek produktet zinxhirore dhe ato të domosdoshme, që janë joelastike.
“Rritja e çmimit të energjisë vështirëson zinxhirin furnizues të produkteve bazë dhe e bën jetën e qytetarëve edhe më të rëndë,” ka deklaruar Bellaqa për emisionin Gazeta.
Ai shton se ndikimi negativ shtrihet edhe tek bizneset, pasi rritja e kostove të energjisë i bën ato më pak të qëndrueshme dhe në disa raste të papërballueshme për operim. Sipas tij, kjo situatë mund të ketë pasoja serioze në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut.
Bellaqa ka kërkuar që ZRRE të veprojë me transparencë, drejtësi dhe pa diskriminim, duke mos lejuar vendosjen e çmimeve të paarsyeshme. Ai thekson se çmimet duhet të formohen mbi baza të qarta ekonomike, ku fillimisht llogariten kostot direkte të prodhimit dhe mirëmbajtjes, e më pas të përcaktohet çmimi final.
“Në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet që barra e rritjes së çmimeve të bie mbi qytetarët dhe bizneset,” përfundon Bellaqa.
Deklarata e plotë: