
Mesfushori i Feronikelit ’74, Jakup Berisha është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e gjashtë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Berisha ishte njëri nga lojtarët kyç të Niklit në fitoren e tyre me përmbysje ndaj Lirisë me rezultat 3-5.
Në ndeshjen kundër Lirisë e cila u zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaqi”, mesfushori shënoi dy gola.
Pasi mori këtë çmim, Berisha u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe për faktin që skuadra e tij tregoi karakter të lartë, duke u rikthyer nga disavantazhi prej tre golash.
“Të shpallesh më i miri i xhiros është një ndjenjë e veçantë, sidomos në një ndeshje si ajo e ditës së djeshme, e cila ishte e papërshkrueshme dhe e para në karrierën time që më solli emocione të tilla. Të gjithë janë befasuar me përmbysjen e rezultatit nga 3:0 në 3:5 që e bëri skuadra jonë, por kjo tregon karakterin e ekipit tonë. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për faktin që e kam ndihmuar ekipin të arrijmë një tjetër fitore të vlefshme në Albi Mall Superligë. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, tifozët dhe të gjithë ata që besojnë tek ne. FC. Feronikeli 74 nga ndeshja në ndeshje do të hyjë për rezultate pozitive dhe besoj që me punën që po bëjmë do të arrijmë pikë maksimale në çdo ndeshje”, deklaroi Berisha.
Feronikeli ’74 renditet në pozitën e tetë në tabelë në Superligë, me gjashtë pikë pas gjashtë ndeshjeve.