Lajme

Jasharaj s’e përjashton mundësinë e grevës në arsim: Po ndodhi, fajin e ka Qeveria Kurti

Gazeta10
04 Dhjetor 2024 - 15:04

Rruga “Agim Ramadani” në Prishtinë sot u bllokua nga protesta e organizuar nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë.

Kjo sindikatë ka zhvilluar protestë sot, në shenjë pakënaqësie për mospërmbushjen e kërkesave të tyre.

Ata kanë paraqitur disa kërkesa, ndër to kërkesën për rritje pagash dhe për nënshkrimin e kontratës kolektive.

I pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj deklaroi se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po vazhdon të etiketojë krerët e SBASH-kut në vend se të ulet dhe të komunikojë.

“Nagavci  del e mundohet të na etiketojë në vend që të dalë dhe të komunikojë me ne paska vazhduar me komunikata se gjoja SBASHK-u po e bën këtë aktivitet për fushata. SBASHK-u nuk është në zgjedhje, ne nuk kërkojmë votë për parlament. Ne jemi zëri i anëtarësisë”, tha ai.

Gjithashtu Jasharaj tha se nuk e përjashton grevën e përgjithshme, e se sipas tij nëse ndodh fajin kryesor e ka Qeveria Kurti.

“Zonja Nagavci asnjëherë nuk foli për arsimin. Ne jemi për dialog. Fajtori numër një është Kurti, numër dy Ministri Murati i dhe numër tre Ministrja Nagavci. Unë nuk mund të përjashtoj grevën e përgjithshme dhe po ndodhi kjo fajet i ka Kurti dhe Qeveria e tij. I lutem edhe Qeverisë edhe Kurtit edhe Zotit që kurrë më mos të përsëritet shtatori i vitit 2022”, tha Jasharaj./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.