Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Ka ardhur koha…”, Kurti kërkon avancimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE

Gazeta10
07 April 2025 - 18:52

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta trajtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se Kosova nuk ka “plan B”, por është plotësisht e angazhuar për integrim në bllokun evropian.

“Ka ardhur koha që Kosova dhe BE të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar pengesat që e pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, tha Kurti, gjatë një diskutimi në Bruksel të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS).

“Kjo do të thotë: të iniciohet Pyetësori për Kosovën, për të vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe të përgatitet një mendim të bazuar në merita për statusin e kandidatit të BE-së”, shtoi ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

Vetëm pak orë më herët të hënën, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve…/REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.