
Sulmuesi i Kosovës, Eliot Bujupi ditë më parë kompletoi transferimin te skuadra belge, Westerlo në formë huazimi.
Bujupi që shihet si një sulmues me shumë potencial për të ardhmen do të ketë aventurën e tij të parë jashtë futbollit gjerman.
19-vjecari është pjesë e gjigantit gjerman, Stuttgart ku për këtë skuadër ka luajtur së fundmi për ekipin e dytë që bën gara në Bundesliga 3.
Klubi gjerman e ka grumbulluar vitin e kaluar Bujupin edhe me ekipin e parë në disa ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Stuttgart njihet si fabrikë e futbollistëve të rinj në Gjermani dhe Bujupi padyshim që shihet si një sulmues i së ardhmes që ka dalë nga akademia e klubit.
Mediat në Gjermani e kanë parë kalimin e qendërsulmuesit te Westerlo si një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin e tij.
Stuttgart beson shumë në potencialin e sulmuesit të Kosovës, prandaj e ka dërguar në huazim që të ketë më shumë minuta në futbollin senior dhe të fitojë më shumë përvojë.
Westerlo bën gara në elitën e futbollit belg dhe njihet si një skuadër ku u jep hapësirë talentëve të rinj, e që është një mjedis perfekt për Bujupin që të zhvillohet edhe më shumë si futbollist.
Bujupi kishte shpërthyer me grupmoshat U19 të ekipit gjerman, ku në 41 ndeshje kishte realizuar 27 gola e kishte dhuruar 15 asistime, shifrat të frikshme këto për një sulmues.
Sulmuesi i Kosovës vitin e kaluar e tregoi veten edhe në “UEFA Youth League” ku në gjashtë paraqitje shënoi pesë gola.
I lindur në vitin 2006, Bujupi përfaqësoi Gjermaninë në grupmoshat U17, teksa u afrua te Kosova U19 nën drejtimin e Adil Maliqit, ku po ashtu cilësia e tij e bëntë dallimin te Dardanët e rinj.
Paraqitjet e tij ranë në sy te Franco Fodas, i cili në shtator të vitit të kaluar e ftoi te kombëtarja A.
Në atë grumbullim ai debutoi me kombëtaren A të Kosovës në ndeshjen kundër Qipros.
Bujupi aktualisht është pjesë e Kosovës U21, ku pak ditë më parë u paraqit në ndeshjet kundër Rumanisë dhe Spanjës, që u zhvilluan në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.