
Instituti Demokratik i Kosovës në një analizë të bërë sa i përketë punës së Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, por edhe nga Kryesia e Kuvendit që t’i gjobisin në mënyrë të rregullt deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca.
KDI-ja në analizën e tyre ka shprehur shqetësimin se mungesa e kuorumit për shkak të deputetëve, po pengon funksionimin e Parlamenetit, shkruan Gazeta10.
“Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit. Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit. Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura. Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit duhet të aplikojnë në mënyrë të rregullt ndëshkimet, sipas legjislacionit në fuqi për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit”, thuhet nga KDI.
Tutje, KDI ka kritikuar edhe Kuvendin për mostransparencë sa i përketë votave, duke thënë se kjo po e cenon transaprencën e këtij institucioni.
“Mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sipas Nenit 61, paragrafi 9 të Rregullores, “Publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të votimit në seancë plenare. Në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit dhe e deputetëve individualisht, KDI kërkon nga Kuvendi, që në një afat sa më të shpejtë të mundshëm ta rikthejë votimin elektronik. Në ndërkohë, Kuvendi përveç publikimit të votave kumulative, duhet të bëjë të qasshme për publikun rezultatet e votimit me dorë për secilin deputet individualisht në seancat e Kuvendit”, thuhet tutje në reagimin e tyre./Gazeta10