Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzoi rikthimin e tij si u.d. i kryeprokurorit

Gazeta10
05 Dhjetor 2025 - 14:45

Avokati i ish-ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi, Flakron Sylejmani, ka thënë së ata do të ankohen ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u  refuzua padia e Kelmendin, ku ai kërkonte masë të përkohshme të sigurisë dhe pezullim të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita.

“Si përfaqësues ligjor i z. Besim Kelmendi, dëshiroj të njoftoj opinionin publik se, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit, në pajtim me dispozitat procedurale dhe afatet ligjore në fuqi”, ka thënë Sylejmani.

Ai ka thënë se me këtë vendim nuk është vlerësuar ligjshmëria e vendimit për shkarkimin e Kelmendit.

Ai ka theksuar se vlerësim i tyre juridik është se arsyetimi i dhënë nga gjykata nuk pasqyron në mënyrë të plotë standardet e nenit 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, siç është shprehur, “sidomos në pjesën që lidhet me rrezikun e dëmit të pakthyeshëm dhe peshën institucionale të funksionit që ushtronte pala jonë.

“Këta elementë janë vendimtarë në këtë fazë dhe kërkojnë trajtim të posaçëm dhe substancial. Pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është funksion me rëndësi të veçantë institucionale dhe ndërprerja e ushtrimit të kësaj pozite, para një vendimi meritor, krijon pasoja që nuk mund të rikuperohen me mjete të mëvonshme juridike, madje edhe në rast të aprovimit të padisë. Për këto situata ligji parasheh masën e sigurisë si mjet mbrojtës për të garantuar stabilitet dhe integritet institucional deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, është shprehur Sylejmani.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
05 Dhjetor 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.