
Portjeri i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 28-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Haxhihamza kishte pasur një paraqitje fantastike në ndeshjen që Dukagjini e fitoi ndaj Prishtinës.
Ai bëri disa pritje në momentet vendimtare të ndeshjes në sfidën që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pasi mori këtë çmim portieri i Dukagjinit u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje, derisa beson se ecuria pozitive e skuadrës së tij do të vazhdojë.
“Të zgjedhësh më i miri i javës dhe sidomos në një përballje në transfertë kundër një ekipi si Prishtina është kënaqësi e veçantë. Dukagjini po kalon një seri pozitive të rezultateve dhe kjo na bënë të besojmë që ecuria jonë do të vazhdojë edhe në xhirot në vijim, e ku secila ndeshje do të jetë finale në vete. Këtë çmim ja dedikoj bashkëlojtarëve, pa të cilët edhe performanca ime do të ishte më e vështirë”, deklaroi Haxhihamza.
Dukagjini renditet në pozitën e gjashtë në tabelë në Albi Mall Superligën e Kosovës me 38 pikë, teksa po lufton për një pozitë që dërgon në garat europiane.