
Raporti: Saranda Aliu
Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë thënë se situata në veri mund të tensionohet me hyrjen në fuqi të masës për gjobitjen e qytetarëve që nuk kanë konvertuar targat ilegale. Ata kanë thënë se para 21 nëntorit Kurti e Vuçiq duhet të arrijnë një marrëveshje, në mënyrë që situata të mos shkoj drejt përshkallëzimit.
E diela është dita e fundit, kur doganierët do të lëshojnë letra qortuese ndaj qytetarëve që nuk i kanë konvertuar targat ilegale në ato RKS.
Kjo pasi nga e hëna, zyrtarët kufitarë do t’i gjobisin këta të fundit, vendim ky që pritet të zgjas deri më 21 janar.
Implementimi i fazës së dytë të vendimit për targat, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë mund të sjellë tensione gjatë ditëve në vijim.
Ata kanë thënë se është e nevojshme që Prishtina e Beogradi zyrtar të gjejnë një zgjidhje deri të hënën, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet.
Ndërkaq, edhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli e ka parë të nevojshme që para të hënës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të arrijnë një marrëveshje për targat.
Përndryshe, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e rritjes së tensioneve, nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të përshkallëzuar të vendimit për targat, nga Lista Serbe kishin thënë se shqiptimi i gjobave ndaj qytetarëve serbë do të jetë shkas për reagim dhe rezistencë të ashpër. / Kanal10