
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Rrugët e kryeqytetit këtë të mërkurë janë mbushur nga dhjetëra protestues. Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kolektivi “marshojmë s’festojmë” kanë kërkuar drejtësi për gratë e vrara. Ato thanë se brenda vitit rreth 2 mijë gra raportojnë dhunën, derisa kanë paralajmëruar se rezistenca e tyre ndaj trajtimit jo të barabartë e shtypjes nuk do të ndalet.
Motoja nuk ka ndërruar.
E as gjendja thonë se nuk është përmirësuar.
Edhe këtë 8 mars kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, kërkesë kryesore e pati drejtësinë për gratë e vrara.
Pikëtakimi ishte Pallati i Drejtësisë, për të vazhduar më pas te sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, aty ku edhe dhjetëra qytetarë iu bashkuan marshit.
Enët i shfrytëzuan si shenjë revolte për të treguar se gratë nuk e kanë vendin vetëm në kuzhinë.
Derisa kalonin, thirrjet ishin të vazhdueshme ndaj Policisë, Prokurorisë e Gjykatës, e pikë ndalesën e patën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Aktivistja Mirishahe Syla u shpreh se vetëm brenda një viti, rreth dymijë gra e raportojnë dhunën.
Syla tha se rezistenca e tyre ndaj padrejtësive do të vazhdojë, derisa ka theksuar se çdoherë do të jenë përkrah njëra-tjetrës për ta kundërshtuar shtypjen.
Ndërkaq, Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë se dhuna ndaj grave vazhdon të jetë shqetësuese, megjithëse sipas saj, është rritur vetëdijesimi i raportimit në institucionet përkatëse.
Përveç protestës, në ditën e 8 Marsit, në kryeqytet janë shpërndarë edhe lule dhe dhurata simbolike për gratë.
Nga Organizata “Shpresë për Kosovën”, u kanë bërë thirrje institucioneve që të punojnë me seriozitet në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një njollë e zezë për shoqërinë e Kosovës, pasi që për çdo ditë raportohet dhjetëra raste të tilla.
Ndërkaq, alarmante konsiderohet edhe rastet kur dhuna kalon në vrasje të grave, me ç’rast vetëm në muajt e fundit të vitit të kaluar, tri gra ishin privuar nga jeta prej burrave të tyre.