Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kërkohet presion ndërkombëtar ndaj Serbisë

Gazeta10
06 Gusht 2023 - 20:05

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Politikanët kryesorë nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, që të kenë qasje më të ashpër ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kanë bërë thirrje të reagohet ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë.

Qasje më të ashpër ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar kanë kërkuar disa politikanë perëndimorë.

Për këtë, ata i kanë drejtuar një letër krerëve të fuqive të mëdha, teksa kanë kërkuar që të ndryshohet një qasje e tillë dhe që të reagohet ndaj tendencave destibilizuese rë Serbisë.

Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Jashtëm të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Kjo letër u është drejtuar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Përmes kësaj letre, i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, që ta ashpërsojnë qasjen ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovës duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer.”

Gjithashtu, është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi.

“Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politike ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.

Në letër politikanët perëndimorë kanë bërë thirrje të kthehet ekuilibri në proporcionaliteti në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike.”

Gjithashtu, këta politikanë kanë shprehur shqetësimin për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën.

Ndryshe, në disa raste, edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kishin fajësuar faktorin ndërkombëtar për qasjen e butë ndaj Serbisë, gjë që shpesh kishte nxituar edhe reagime të ndryshme. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.