
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se kushtet e punës në minierën e Trepçës janë të rënda dhe me rrezik për jetën e minatorëve, për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së investimeve.
Ai ka thënë se ngujimi i minatorëve në horizontet e punës, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka ndodhur për herë të parë.
“Nuk duhet pritur që të ndodhë ndonjë tragjedi, pastaj të intervenohet. Reagimi ynë është shumë i drejtë, sepse kjo po e vë në qendër të vëmendjes së institucioneve, në këtë rast Qeverisë, që të mos zgjasë vetëm një apo dy ditë, pastaj gjërat harrohen, sepse nuk është hera e parë që po na ndodh e njëjta gjë”, tha Jonuzi.
Jonuzi ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në minierë, duke theksuar se institucionet dhe menaxhmenti janë të njoftuar për problemet.