
Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka kërkuar që të shkarkohet logopedi Iljasa Fazliu, të cilit në nëntor iu publikua një video duke keqtrajtuar një fëmijë me autizëm.
Këto ditë u raportua se Fazliu është rikthyer në vendin e tij të punës në Shërbimin Spitalor, me arsyetimin se abuzimi kishte ndodhur në një ordinancë private.
“Sot, ndonëse faktet për abuzimin e ushtruar nga Iljasa Fazliu janë publike dhe të padiskutueshme dhe i njëjti është ende nën hetime si dhe ende nuk ka pranuar licencën e tij nga Oda e Infermierëve të Kosovës, ai vazhdon të punojë në ShSKUK si logoped”, thuhet në reagim.
Qendra për Informim dhe Përmirësim Social thotë se rikthimi i Fazliut paraqet rrezik për shëndetin publik dhe për qytetarët./Gazeta10