
Hysamedin Feraj, këshilltari politik i kryeministrit të vendit ka reaguar lidhur me thirrjet që emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ia ka bërë së fundi Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta10.
Escobar sot tha se “Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës. Por kjo s’do të thotë që do të qëndrojmë krah një individi që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar e për t’u bashkërenduar.”
Për këtë, Feraj ka thënë se ai nuk është një individ por është populli i Kosovës, me gjasë duke iu drejtuar fitores së fundit në zgjedhje me 51% të votave.
‘’Nuk është një individ, por një popull që nuk do t’i nënshtrohet Serbisë dhe banditëve të saj!’’, shkroi ai.
Kujtojmë se Escobar sot i dha një ”ultimatum” Kosovës, duke thënë se deri të premten ka kohën për të depërshkallëzuar tensionet në veri dhe filluar themelimin e Asociacionit./Gazeta10