
Kritikave të ashpra të Nënkryetares së Partisë Demokratie të Kosovës, Vlora Çitaku kundër Kryeministrit Kurti iu është përgjigjur këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, i cili ka thënë se Çitaku ishte gëzuar kur ishte nënshkruar Asociacioni, raporton Gazeta10.
Ai është shprehur se partia e saj duhet të kërkoj falje për gabimin që sipas tij e ka bërë në të kaluarën.
“Vlora u pat gëzuar fort kur u pat nënshkruar Zajednica me 2013. Në vend që sot ajo dhe subjekti i saj të kërkojnë falje e të ofrojnë mbështetje për të riparuar gabimin që kanë bërë, ajo pa pikë turpi akuzon qeverinë pse po pranon diçka që ata e nënshkruan”, ka thënë ai.
Zulfaj, ka thënë se PDK dhe LDK po garojnë se kush mund të shkojë më poshtë, derisa shtoi se përfaqësuesi i BE-së, Joseph Borrel, në konferencën e mbrëmshme nuk e përmendi asnjëherë çështjen e Asociacionit.
Në fund këshilltari i kryeministrit ka thënë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Të gëzohen që asociacioni siç e menduan, negociuan, nënshkruan e për fatin e keq të Kosovës e ratifikuan në Parlamentin e Republikës tonë me 2/3tat, ku më 2015 e avancuan në Republika Srpska, nuk do bëhet”, ka shkruar ai.
Me nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit në vitin 2013, sipas tij u forcuan kriminelët.
“Qytetarët e Kosovës nuk i kishin borxh asgjë “vlorave” që nënshkruan Zajednicën dhe forcuan kriminelë si Radoicic e Veselinovic. Andaj sot, kurseni qytetarët. Ata ju njohin mirë”, ka thënë ai./Gazeta10/