Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KGJK dënon gjuhën linçuese dhe sulmet denigruese ndaj gjyqtares Edita Çanta

Gazeta10
21 May 2026 - 15:02

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dënuar fuqishëm gjuhën linçuese dhe denigruese të përdorur ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Edita Çanta, nga Milaim Zeka përmes rrjetit social Facebook.

“Deklaratat e publikuara nga z. Zeka, pas vendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e tij, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit personal dhe profesional të gjyqtares së rastit, përmes një gjuhe fyese, degraduese dhe të papranueshme, e cila tejkalon çdo kufi të komunikimit publik dhe demokratik” thuhet në reagimin e KGJK-së.

KGjK vlerëson se sulme të tilla nuk janë vetëm fyerje individuale ndaj një gjyqtareje, por përbëjnë përpjekje të papranueshme për linçim publik, dhe ushtrim presioni ndaj bartësve të funksionit gjyqësor, me qëllim cenimin e pavarësisë së tyre në ushtrimin e detyrës.

Këshilli Gjyqësor thekson se gjuha e urrejtjes, ofendimet, etiketimet degraduese dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe përbëjnë goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë, pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit.

KGjK shpreh mbështetjen e plotë dhe të palëkundur për gjyqtarët e Republikës së Kosovës, në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, të lirë nga çdo formë presioni, kërcënimi apo linçimi publik.

Njëkohësisht, u bëhet thirrje organeve kompetente që të trajtojnë me seriozitet maksimal këtë rast, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, pasi çdo sulm ndaj një gjyqtari është sulm ndaj drejtësisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.