Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kina s’e njeh Kosovën, por ia njeh kuletën- 486 milionë euro mallra për gjashtë muaj

Gazeta10
22 July 2026 - 16:54

Në Pekin, Kosova vazhdon të mos ekzistojë në hartën diplomatike. Në Kosovë, megjithatë, Kina është pothuajse gjithandej. Mjafton të shikosh telefonin në dorë, televizorin në dhomë, lodrat e fëmijëve, ndonjë panel diellor mbi çati apo raftet e dyqaneve. Aty, Kina nuk ka nevojë për ambasadë, por e ka fituar tregun.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovë, Kosova importoi 485.98 milionë euro mallra nga Kina vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2026, duke e konfirmuar këtë shtet si një nga furnizuesit më të mëdhenj të ekonomisë kosovare, pavarësisht faktit se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me të, raporton Gazeta10.

Shifrat nga Dogana tregojnë se vetëm në muajin qershor importet nga Kina kapën vlerën e mbi 102 milionë eurove, ndërsa gjatë gjashtëmujorit ritmi i furnizimit ka qenë në rritje të vazhdueshme.

Në mesin e produkteve që dominojnë importet janë telefonat mobilë, kompjuterët, pajisjet elektronike dhe elektrike, makineritë industriale, panelet dhe komponentët për energjinë diellore, tekstili, veshmbathja, këpucët, mobiliet, pajisjet e ndriçimit LED, lodrat, si dhe një gamë e gjerë artikujsh plastikë dhe mallrash të konsumit të përditshëm. Praktikisht, një pjesë e konsiderueshme e produkteve që përdoren çdo ditë nga qytetarët e Kosovës mbajnë vulën “Made in China”.

Ekspertët ekonomikë kanë paralajmëruar vazhdimisht se varësia e madhe nga importet dobëson prodhimin vendor dhe thellon deficitin tregtar. Në rastin e Kinës, kjo varësi bëhet edhe më domethënëse kur merret parasysh se Kosova eksporton shumë pak drejt këtij tregu, duke krijuar një raport pothuajse të njëanshëm në këmbimin tregtar. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.