Duhet Lexuar

Kiosqet largohen, por rruga s’lëshohet për qarkullim

Gazeta10
09 Janar 2023 - 19:27

Raporti: Egzona Shala / Kanal10

Kiosqet  në “Tregun e fundvitit” në rrugën “Xhorxh Bush”  kanë filluar të largohen të hënën. Mirëpo, rruga e cila është shndërruar në shesh për festat e fundvitit, vazhdon të mos shfrytëzohet për qarkullim nga veturat. Ndonëse nga Komuna e Prishtinës patën thënë se e njëjta do të lirohet më 8 janar për qarkullim të transportit publik, e njëjta po vazhdon të shfrytëzohet vetëm nga këmbësorët. Nga komuna thonë se punimet do të fillojnë nga dita e martë, dhe se kjo rrugë do të shfrytëzohet vetëm nga transporti publik, taksitë dhe veturat emergjente, shkruan Kanal10.

Po bëhet edhe largimi i kiosqeve të fundit.

Por jo edhe lëshimi i rrugës “Xhorxh Bush” për qarkullim, ashtu siç ishte paraparë të ndodhte nga data 8 janar.

Kjo rrugë edhe gjatë së hënës u shfrytëzua për qarkullim vetëm nga këmbësorët.

Përkundër që nga Komuna e Prishtinës patën thënë se nga 8 janari rruga do të hapej për qarkullim fillimisht për autobusë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka treguar se punimet në rrugën “Xhorxh Bush” do të fillojnë nga dita e martë dhe se e njëjta do të shfrytëzohet vetëm nga transporti publik, taksitë dhe veturat emergjente.

“Vetëm për transport publik, taksi dhe vetura emergjente (Policia autoambulanca, zjarrëfikësit). Punimet kanë me fillu qysh nesër dhe me siguri do të zgjasin dy javë”, tha Ilirik Musliu – Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Ndërsa, qytetarët janë shprehur se shpresojnë që kjo rrugë të shndërrohet në shesh,pasi sipas tyre do të ketë më shumë hapësirë për këmbësorët.

Mirëpo, ka edhe prej tyre që kërkuan që komuna fillimisht të bëjë një zgjidhje për qarkullimin e veturave në mënyrë që të mos krijohen kolona.

Rruga “Xhorxh Bush” ishte mbyllur për qarkullim nga 26 nëntori i vitit 2022, kur edhe Komuna e Prishtinës kishte filluar përgatitjet për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.