
Ky vikend na sjell para ekranit xhiron e 28-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, e cila në përbërje ka disa ndeshje interesante.
Lideri i tabelës, Drita luan të shtunën, ku përballë do të ketë skuadrën e Trepçës ’89, me ndeshjen që luhet në Gjilan te stadiumi me bari sintetik.
“Intelektualët” hyjnë në këtë ndeshje pas fitores ndaj Drenicës javën e kaluar, ndërsa ’89-shi pas humbjes së pësuar nga Prishtina.
Ndërkohë, po ditën e shtunë luan edhe Ballkani, i cili në Suharekë do të jetë nikoqir i skuadrës së drejtuar nga Bylbyl Sokoli, Malisheva.
“Portokallezinjët” po luajnë për kreun e tabelës, ndërsa Malisheva për t’i ikur zonës së barazhit.
Ditën e diel, Prishtina pret në “Fadil Vokrri” skuadrën e Dukagjinit, me bardhekaltërit që po luftojnë për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm.
E drejtuar nga Debatik Curri, ndeshjen e kaluar Prishtina fitonte ndaj Trepçës ’89, teksa Dukagjini fitonte po ashtu ndaj Ferizajt.
Gjersa jemi te Ferizaj, këtë javë ata do të përballen me skuadrën e Gjilanit, e cila kohëve të fundit po kalon formë të luhatshme. Të dy këto skuadra javën e kaluar pësuan disfatë, teksa “Skifterat” me humbje eventuale këtë vikend rrezikojnë pozitën e tretë në tabelë.
Në anën tjetër, Llapi do të jetë nikoqir i vendit të fundit në tabelë, Drenicës, me sfidën që luhet në “Zahir Pajaziti”.
Të gjitha këto ndeshje luhen me fillim nga ora 15:00.
Tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit kosovar i prin Drita me 55 pikë, një më shumë se Ballkani në vendin e dytë me 54 sosh, gjersa vendin e tretë, i cili dërgon në Evropë e zë skuadra e Gjilanit, e cila ka 40 pikë të tubuara.