
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar për trajtimin e të pagjeturve në marrëveshjen e Ohrit, për të cilën kanë thënë se nuk e trajton, as me urgjencë e as me seriozitet këtë çështje.
Në një komunikatë për medie, KMDLNj shkruan se ky proces është trajtuar që nga fillimi gabimisht, e se në vend se të trajtohej si çështje e të drejtave të njeriut, ky proces u politizua duke u keq-përdorur për qëllime politike.
Ndërsa, si penguesin më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur e kanë cilësuar bashkësinë ndërkombëtare, e cila i “është përshtatur oportunitetit politik”.
“Madje kanë bërë eksperimente me mbetjet mortore”, thuhet në këtë komunikatë.
“Edhe kjo “marrëveshje“ e Ohrit, çështjen e të pagjeturve nuk e trajton, as me urgjencë e as me seriozitet por e ka si pjesë thuaja fakultative të kësaj “marrëveshjeje“. Kjo “marrëveshje“ mund dhe edhe do t’i rrisë shpresat e familjarëve që me ankth presin ndonjë informatë për anëtarët e familjes që janë në listën e të pagjeturve mirëpo aty nuk ka asgjë detyruese”.