
Mbrëmë në Kosovë ka pasur një debat lidhur me një vizitë potenciale te ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës meqë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovener, ka thënë se ministrat duhet të koncentrohen brenda vendit dhe jo të udhëtojnë jashtë tij në këtë kohë krizash.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka panifikuar të udhëtojë në Washington për të marrë pjesë në konferencën globale anti-korrupsion.
Mirëpo rreth kësaj vizite është përfolur se ministres Haxhiu i është anuluar vizita në SHBA. Për këtë ka folur këshilltari i Haxhiut, Genc Nimoni, i cili ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se i njejti lajm është tendencioz dhe shpifës.

“Disa media, kanë drejtuar pyetje dhe po raportojnë se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka refuzuar vizën për Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe është anuluar vizita në ShBA. Një lajm i tillë përveç se është i pavërtetë dhe shpifës, është tendencioz dhe ka për qëllim shpërndarjen e informatave të pavërteta për zyrtaret e lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nimoni.
I pyetur për këtë temë, ambsadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ka rrethana të përshtatshme në këtë kohë të krizave që të udhëtohet jashtë vendit.
Ai ka thënë se këtë është duke ua thënë edhe zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri.

“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier.
Sot në Kuvendin e Kosovës, gjatë një replike që pati me ministren Haxhiu, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka quajtur ministren Haxhiu si e “Sanksionuara e SHBA-së”.
Ai ka thënë se të jesh e sanksionuar nga SHBA është gjëja më e padinjitetshme në këtë vend.

“E nderume ministre e sanksionume e SHBA-së. Nuk e di a ka gjë më të padinjitetshme në këtë vend se me u sanksionu prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Tahiri ndër të tjera.
Kujtojmë se Kosova gjendet në rrethana të krizës politike pasi Lista Serbe dhe serbët e veriut janë tërhequr nga institucionet të shtunën pasdite.
Kështu, ata kanë lëshuar të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet pas suspendimit të komandantit të policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq. / Gazeta10