
Komisioni Hetimor Parlamentar në mbledhjen e mbajtur sot diskutoi për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, raporton Gazeta10.
Edhe pse në diskutim nga komisioni ishte ftuar të dëshmonte edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ai nuk morri pjesë.
Berishaj, përmes një letre kishte kërkuar kohë që deri më 29 apo 30 nëntor të mos ftohej për intervistim për shkak të angazhimeve në disa takime diplomatike.
“Pasi paraprakisht kam caktuar takime me ambasadorin austriak dhe gjerman e që përputhet me datën 11.11.2022 dhe datën 12, e kam konfirmuar takimin me ministrin e Ekonomisë së Kroacisë Dabor Filipoviq lidhur me Forumin Ekonomik Kroaci-Kosovë që do mbahet në javën e dytë të janarit në Prishtinë. Propozoj dhe njëherit iu lus mirësisht që të ma mundësoni të bëjë këtë dëshmi më datën 29.11 apo 30.11.2022 apo kur do ta caktoni ndonjë datë tjetër”, thuhej në letër.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj propozoi që deri më 20 nëntor ambasadori Berishaj të zgjedh se kur mund ta jap dëshminë e tij, pasi datat që i kishte propozuar ai janë të vona për shkak edhe të mandatit të Komisionit.
“Datat që i ka propozuar megjithatë ka lënë mundësi që ta caktojmë ndonjë datë tjetër, por datat e propozuara janë shumë vonë, neve mandati si Komision na përfundon më 4 dhjetor. Data 29.11 apo 30.11 mendoj se është shumë vonë. Propozimi im është që ne t’i lëmë mundësi Berishajt që të zgjedh deri më datën 20 nëntor prej sot deri më 20 nëntor të vlerësoj ai se cilat data i përshtaten”, ka thënë Selmanaj./Gazeta10