
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Mbi 18 mijë euro, Komuna e Prishtinës ia ka ndarë organizatës Sport4Alla, e cila drejtohet nga Fatos Bajqinovci, vëllai i kryetar të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci. Nga opozita dhe shoqëria civile, po vlerësohet si konflikt interesi. Ndërsa, nga komuna kanë thënë se kjo organizatë nuk drejtohet nga Bajqinovci, ani se është themeluar nga ai.
Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 620 mijë euro për 247 organizata të ndryshme joqeveritare.
E nga kjo shumë, 18 mijë e 190 euro i janë dhënë organizatës Sport4All, e cila merret me publikimet e të rejave nga sporti.
Kjo organizatë, drejtohet nga Fatos Bajqinovci, i cili është vëllai i kryesuesit të kuvendit komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.
Ky i fundit rezulton si themelues i Sport4All, bashkë me Fioret Pruthi dhe Fatos Bajqinovcin.
Për këtë, televizioni ka kontaktuar Bajqinovcin, por i njëjti përmes një telefonate ka thënë se duhet të drejtoheni zyrës për medie të komunës.
Nga kjo e fundit, përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se Pëllumb Bajqinovci nuk ka përfituar subvencion nga kryeqyteti, me që ai ka qenë themelues, por nuk është pronar ose bashkëpronar.
“Themeluesin e një organizate, institucioni apo kompanie nuk mund ta fshish nga biografia. Organizata në fakt ekziston që nga 2010-ta dhe vazhdimisht ka organizuar aktivitete të ndryshme sportive, e cila nga të gjitha qeveritë ka marrë subvencione për organizimin e këtyre aktiviteteve. Pëllumb Bajçinovci, nuk ka asgjë të bëjë me subvencionin. Përkrahja financiare kësaj organizate jo qeveritare i është dhënë pas vlerësimit nga komisioni i pavarur, i përbërë nga 5 anëtarë”, tha Zyra për medie – Komuna e Prishtinës.
Mirëpo, nga opozita në kryeqytet, këtë rast e kanë quajtur konflikt interesi.
Sipas Arianit Beqirit nga Vetëvendosja, ky është vetëm njëri prej rasteve që tregon se qeverisja e Prishtinës është duke e kapur çdo pjesë të kryeqytetit dhe duke iu shërbyer njerëzve të saj.
Këto subvencione drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka ndarë për organizatat që merren me sport dhe kulturë, me qëllim të mbështetjes financiare./Gazeta10