
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur kundër idesë se ministrit të Financave, Hekuran Murati në lidhje me faljen e 100 eurove të para të shumës së përgjithshme të tatimit në pronë. Por, pro një propozimi të tillë janë deklaruar kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Vetëvendosje. Këtë propozim, njohësit e ekonomisë e kanë cilësuar si të pamundur dhe mashtrim.
Komunat e Kosovës janë ndarë në dysh pas propozimeve nga niveli qendror lidhur me faljen e 100 euro nga tatimi në pronë për vitin 2023.
Një propozim të tillë e ka dhënë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas rritjes shumëfish të tatimit në pronë, me ç’rast vendimi ka nxitur reagime të shumta në vend.
E një propozim të tillë po e përkrahin kryetarët e komunave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa atë po e kundërshtojnë kryetarët që vijnë nga partitë e tjera.
Kundër një propozimi të tillë ka dal edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka thënë se me këtë ide është më mirë t`i vihet dryni komunës, pasi sipas tij, i bie që të mos paguajnë tatim rreth 90% e qytetarëve.
Mirëpo, një propozimi të tilla e ka mbështetur kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Edhe në Prishtinë, asamblistët e Vetëvendosjes kanë propozuar që qytetarëve t’u falet shuma prej 100 eurosh nga tatimi në pronë për vitin 2023.
Por, njohës të ekonomisë këtë propozim e kanë konsideruar si mashtrim, duke thënë se një ide e tillë është e pamundur.
Faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 kanë nxitur reagime si nga partitë opozitare, ashtu edhe nga qytetarët, pasi këtyre të fundit faturat e këtij viti u kanë shkuar me çmime shumëfish më të larta.
Për rritjen e tatimit në pronë niveli lokal dhe qendror ua kanë hedhur fajin njëri-tjetrit, derisa qytetarët kanë thënë se vlerësimi i ri është i papërballueshëm për buxhetin e tyre familjar.
Pas këtyre reagimeve, ministri Murati kishte propozuar që ata që kanë tatim në pronë 200 euro, 100 euro t’iu falen, të tjerat paguhen, ndërsa për ata që kanë tatim në vlerë deri në 100 euro, iu falet plotësisht.