Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka caktuar masën e arrestit për nëntë persona të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e plagosjeve në një kazino në Breznicë të Bujanocit, raporton Gazeta10.
Këtë informacion e ka konfirmuar, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit Agron Uka për Gazeta10.
“Dje deri vonë është mbajtur seanca dëgjimore ndaj nëntë personave të dyshuar ku edhe është caktuar masa e arrestit.”, ka thënë prokurori Uka.
Tutje, prokurori tha se ka pasur telashe me pretendimet se përse personat e arrestuar po gjykohen në Kosovë pasi që ngjarja ka ndodhur në Bujanoc, mirëpo sipas tij kjo ka shkuar në bazë të konventave ligjore.
Ditë më parë u raportua se në oborrin e një kazinoje në Bujanoc janë plagosur katër persona dhe janë arrestuar nëntë persona.
Prokurori i Gjilanit Agron Uka, kishte thënë për Gazeta10 se katër personat ishin plagosur nga arma e zjarrit dhe kanë një të kaluar kriminale që lidhet me drogë, kanosje dhe dhunë.
Ai tha se dyshohet se kësaj ngjarje i ka paraprirë një konflikt i mëhershëm.
“Rastit i ka paraprirë një konflikt i mëhershëm mes këtyre personave, i ndodhur diku para një jave. Ka pasur përleshje mes tyre dhe aty është përdorur edhe arma e zjarrit. Katër personat janë të plagosur nga arma e zjarrit”, tha Uka./Gazeta10