Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Konjufca ngre alarmin për Serbinë: Rreziku i një lufte të re duhet marrë seriozisht

Gazeta10
16 October 2026 - 17:10

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për Hungary Insider, ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të Serbisë vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz dhe konkret për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Ai ka folur për rrezikun e një përballjeje të re të armatosur, mungesën e llogaridhënies për sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, si dhe rolin vendimtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë.

Sipas Konjufcës, retorika nacionaliste e Beogradit është e lidhur drejtpërdrejt me veprimet e tij në terren dhe me mbrojtjen politike që u ofrohet organizatorëve të agresionit kundër Kosovës.

 Kryediplomati kosovar rikujtoi pasojat e kësaj doktrine, duke përmendur sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ai vuri në pah se në prill të vitit 2026, një gjykatë në Prishtinë konstatoi se ky operacion synonte shkëputjen e veriut të Kosovës dhe aneksimin e tij nga Serbia.

Konjufca përmendi gjithashtu grumbullimin e tankeve, artilerisë dhe këmbësorisë së mekanizuar serbe përgjatë kufirit menjëherë pas sulmit në Banjskë — një mobilizim që nxiti reagimin e ashpër të Shtëpisë së Bardhë dhe përforcimin e misionit të NATO-s në Kosovë.

Tutje, ai solli në vëmendje edhe sulmin terrorist me eksploziv të nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin theksoi se Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur prova që implikojnë strukturat shtetërore të Serbisë në përgatitjen e tij.

Duke komentuar shfaqjen e fundit të Millan Radoiçiqit në krah të Danilo Vuçiqit, Konjufca tha se kjo dëshmon një raport politik të kultivuar dhe të mbrojtur publikisht prej vitesh nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Tri vite pasi pranoi publikisht se organizoi operacionin e armatosur në Banjskë, Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi, duke marrë pjesë hapur në ngjarje politike krah familjes së Vuçiqit. Pavarësisht këtij pranimi, prokurorët serbë ende nuk kanë ngritur aktakuzë kundër tij”, u shpreh ministri.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion vendimtar mbi Beogradin për ta dorëzuar Radoiçiqin dhe autorët e tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Kosovës, si dhe të kthejë në veprime konkrete thirrjet e Parlamentit Evropian për masa kufizuese ndaj tij./Gazeta10

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.