
Në Kuvendin e Kosovës sërish kanë ndodhur përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, dhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita po tenton që të pengojë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme që u thirr nga 41 deputetë.
Ata fillimisht bllokuan foltoren, teksa Kuvendi po shqyrton në lexim të dytë Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale, dhe pati shtyrje mes deputetëve të mbledhur pranë foltores.
Në sallën plenare gjenden edhe pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca paralajmëroi deputetët që po bllokojnë foltoren se mund t’i përjashtojë nga seanca.
“Deputetëve të cilët nuk po e lirojnë foltoren ua jap vërejtjen me paralajmërim për largim nga seanca”, tha Konjufca.
Deputetë të partive opozitare kanë kërkuar që seanca të ndërpritet menjëherë, duke argumentuar se “nuk ka kushte” që ajo të vazhdojë.
Seanca e jashtëzakonshme vjen pasi vazhdimi i seancës së rregullt u ndërpre.
Opozita ka vendosur pranë foltores pano ku shkruan “Zdravo” [‘Përshëndetje’ në gjuhën serbe] me portretin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti.