Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kosova shënon 15-vjetorin e Pavarësisë

Gazeta10
17 February 2023 - 8:33

Më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:38 në seancën e Kuvendit ku merrnin pjesë 109 nga 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri e shpalli Kosovën shtet të pavarur, Sovran e demokratik, raporton Gazeta10.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Për nder të kësaj dite të veçantë, 15 vjet më pas, ceremonitë do të fillojnë me mbledhjen festive të qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa do të pasojë edhe ngritja e Flamurit shtetëror në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë.

Agjenda e festës së pavarësisë nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës e cila do të mbahet nga ora 08:00, ndërsa në ora 08:20 do të jetë ngritja solemne e Flamurit të Kosovës, e në orën 08:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve.

Në agjendën për festën e Pavarësisë është paraparë që krerët e shtetit të bëjnë homazhe tek varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova në ora 08:45 e në ora 08:50 homazhe do të bëhen edhe tek varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

Po ashtu, në ora 08:50 homazhe do të bëhen edhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kurse në orën 10:30 do të ketë interpretim të Filarmonisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Në ora 11:00 do të ketë seancë Solemne në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në ora 11:20 do të bëhen nderime te Monumenti i policëve të rënë në detyrë, kurse në ora 11:30 do të bëhen nderime edhe tek Monumenti “Heroinat”.

Kurse, në ora 12:00 do të bëhet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

E, në ora 16:15 do të bëhet ndezja e 1,133 qirinjve para Teatrit Kombëtar në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, kurse në ora 17:00 është planifikuar pritja shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kurse, përmbyllja e agjendës festive me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është paraparë të jetë me koncertin që do të nis nga ora 20:15 në sallën “1 tetori”./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.