Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KPK reagon pas dekretit të Haxhiut: Zejnulla Gashi zyrtarisht Kryeprokuror i Shtetit

Gazeta10
14 July 2026 - 16:54

Prishtinë, 14 korrik 2026 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar pas dekretimit të Zejnulla Gashit në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, KPK bëri të ditur se dekretimi i Gashit përmbyll procedurën kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Sipas KPK-së, dekreti është nxjerrë pas propozimit të bërë nga vetë Këshilli Prokurorial, i cili e kishte nominuar Zejnulla Gashin për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore.

KPK njofton se Kryeprokurori i sapodekretuar do të ushtrojë mandatin shtatëvjeçar në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit, me përgjegjësi për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, si dhe garantimin e ushtrimit të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të funksionit prokurorial.

Në fund të njoftimit të publikuar në Facebook, Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka uruar suksese Zejnulla Gashit në detyrën e re, duke shprehur besimin se, përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit profesional, do të vazhdojë fuqizimi i integritetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.