
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Komisioni Qendror i Zgjedhje kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të organizojnë zgjedhje të reja në katër komunat veriore, kurdo që institucionet qendrore e kërkojnë një gjë të tillë. Për këtë, edhe njohësit e politikës në vend vlerësojnë se nuk është vonë që të zbatohet marrëveshja e Kosovës me BE-në për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Përderisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për largimin e katër kryetarëve në komunat në veri, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse.
E me peticionin, i cili po synohet të bëhet nga Ministria e Pushtetit Lokal, profesori universitar i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu vlerëson se Kosova po i afrohet kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri.
Ndërkohë, për hapat rreth shtensionimit të situatës në veri është diskutuar edhe në një takim ndërmjet komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Pjesë e takimit, sipas njoftimit të KFOR-it, ishte edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano e përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ata diskutuan gjerësisht për masat e shtensionimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”, thuhet në shkrimin e KFOR-it në Twitter.
Me 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve derisa në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri. /Gazeta10